Rreth 500 turistë janë futur në karantinë në një resort ishullin e Sardenjas në Itali për shkak të koronavirusit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se e gjithë kjo ka ndodhur në resortin “Santo Stefano” në arqipelagun e Madalenës pas një rasti pozitiv mes stafit të strukturës turistike.
Dhe menjëherë pas kësaj njësia e administrimit të pandemisë në këtë rajon ka testuar 470 personat që ndodheshin në këtë resort të cilët duhet të qëndrojnë të mbyllur deri në daljen e përgjigjeve.
Ndërkohë dy turistë nuk ishin dakord me këtë vendim dhe tentuan të largoheshin, por u ndaluan menjëherë nga forcat e rendit. Lajmi u konfirmua nga këshilltari shëndetësor Mario Nieddu. “Ne jemi në pritje të përgjigjeve, ndërkohë askush të mos lëvizë nga vendpushimi.
Ndërsa kryebashkiaku i Madalenës, Luca Montella shpjegon se nuk ka asnjë alarm dhe se të gjithë të pranishmëve iu është kërkuar të qëndrojnë në resort deri në daljen e rezultateve.
“Nuk ka asnjë alarm, janë marrë të gjithëve tampon dhe deri në daljen e rezultateve asnjë të mos lëviz nga resorti”, tha ai. /abcnews.al