Zgjedhje të pjesshme lokale sot në Britani

schedule13:44 - 3 Maj, 2018

schedule 13:44 - 3 Maj, 2018

Në Britani zhvillohen sot zgjedhje të pjesshme lokale për këshilltarët dhe kryetarët e 7 bashkive. Laburistët, që kanë fituar pikë në sondazhe, shpresojnë që të rrëzojnë mazhorancën konservatore në Londër.

Sot në Mbretërinë e Bashkuar votohet për të rinovuar këshillat e bashkive të 150 qyteteve, zonave apo distrikteve dhe për të zgjedhur 7 kryebashkiakë të rinj. Këto janë zgjedhjet e para të 2018-s në vend, të cilat do të jenë dhe të fundit për këtë vit, prandaj është dhe një zhvillim politik shumë i rëndësishëm. Vëmendja më e madhe do të përqëndrohet në Londër, ku do të rinovohen të gjithë këshilltarët bashkiakë, por jo kryetari, i cili deri në fund të 2020-s do të jetë Sadiq Khan. Analistët mendojnë dhe presin që Partia Labursite të arrijë të fitojë disa vende historike ndaj konservatorëve.

Kutitë e votimi do të mbyllen sonte në mbrëmje, ndërsa numërimi do të fillojë pas mesnatës. Rezultati përfundimtar pritet të jepet pasditën e së premtes. Ndërkohë, nuk votohet për rinovimin e ndonjë këshilli as në Skoci, Uells apo në Irlandën e Veriut, pra mund të thuhet për një herë të vetme që janë zgjedhje “angleze”.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se zgjedhjet e sotme do të jenë të vështira pasi laburistët presin që jo vetëm të fitojnë ndonjë këshilltar më shumë por edhe të përmbysin mazhorancën në disa qytete. Në mënyrë të veçantë, laburistët janë përqëndruar në Londër, në tentativën për t’ia marrë të gjithë kryeqytetin nga konservatorët, të cilët në zgjedhjet politike të 2017-s morën një rezultat shumë të keq.

Gjithashtu analistët mendojnë se këto zgjedhje lokale do të ndikojnë shumë tek një situatë politike, e cila është shumë delikate. Sondazhet tregojnë se partia që drejtohet nga lideri Jeremy Corbyn ka fituar shumë pikë ndërsa konservatorët e Theresa May janë të përçarë, gjë e cila mund t’iu kushtojë shumë shtrenjtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!