Ulet numri i bizneseve të reja të hapura gjatë pjesës së parë të vitit 2020. Pandemia Covid-19 duket se ka stepur nismat e qytetarëve shqiptarë për nisjen e një aktiviteti të ri në ekonomi.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit nga një përllogaritje e regjistrimeve të reja të subjekteve dhe mbylljes së tyre rezulton se në krahasim me një vit më parë janë hapur 907 biznese më pak.
Numri i bizneseve të regjistruara për periudhën Janar-Qershor 2020 është 6926 subjekte dhe i bizneseve të mbyllura 2388 subjekte.
Muaji prill rezulton me rënien më drastike të hapjes së bizneseve të reja nëse e krahasojmë atë me një vit më parë. Kjo e lidhur direkt me faktin e mbylljes totale të aktivitetit ekonomik në vend.
Në prill të 2020 janë hapur vetëm 439 biznese nga 1336 të regjistruara në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Kjo situatë ka prekur edhe bizneset në kryeqytet. Në 6 muaj në kryeqytet kanë nisur aktivitet të ri rreth 1 mijë subjekte më pak.
Ekonomia shqiptare u godit rëndë nga pandemia dhe ato biznese që vijojnë aktivitetin përballen me ulje të ndjeshme të konsumit dhe si rezultat edhe ulje e ndjeshme e fitimeve. Në kryeqytet vëren se shumë dyqane kanë mbyllur qepenat të ndikuar nga ulja e konsumit.
Ndërkohë që shifrat e të prekurve rriten ndjeshëm një rimbyllje tjetër e ekonomisë do të kishte pasoja dramatike për ekonominë shqiptare. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare gjatë këtij viti ekonomia pritet të pësojë një rënie deri në -9%. /abcnews.al