Policia e Matit ka arrestuar tre persona gjatë ditës së djeshme pasi dyshohet se kanë kultivuar lëndë narkotike. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një tjetër.
Operacioni u zhvillua pasi policia mori informacion në rrugë informative se këta persona kultivonin lëndë narkotike.
Ata janë kapur në flagrancë duke punuar në një parcelë të cilët kishin mbjellur disa bimë narkotike të dyshuara canabis sativa.
Gjatë kontrolleve atyre iu kap një sasi prej 10 kilogram lëndë e dyshuar si kanabis sativa.
Njoftimi i policisë
Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Bien në pragat e policisë 3 shtetas, dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Si rezultat i kontrollit të pa ndërprerë të territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Stojani”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit :
M. Gj., 32 vjeç, D. L., 33 vjeç, J. D., 32 vjeç, të tre banues në Krujë, Durrës.
U procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi N. S., 16 vjeç, si dhe u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E. M, 26 vjeç, banues në Krujë.
Shtetasit e lartëpërmendur janë kapur në flagrancë duke punuar në një parcelë të cilët kishin mbjellur disa bimë narkotike të dyshuara canabis sativa.
Ndërsa shtetasi E. M (i shpallur në kërkim), sapo ka parë shërbimet e policisë duke përfituar dhe nga terreni ka arrit të largohet. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Stojan Njësia Administarive Ulëz, u gjet dhe u sekuestrua rreth 10 kg material bimor e dyshuar canabis sativa.
Gjithashtu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “BMW”,që e përdornin autorët, një peshore elektronike dhe disa materiale të tjera.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.