Ekipi i ri, trajneri Gega, objektivat dhe Slavia: Rrëfehet “kuksiani” Telushi

schedule21:17 - 13 Gusht, 2020

schedule 21:17 - 13 Gusht, 2020

Bruno Telushi nuk bënte më pjesë në projektin e ri të Partizanit, trajneri i ri nuk e shihte si titullar dhe mesfushori vlonjat zgjodhi të vazhdojë karrierën te Kukësi. Dy vite firmosi 29-vjeçari vlonjat me ekipin verilindor, aty ku rigjen Skënder Gegën, trajnerin me të cilin fitoi titullin kampion me Partizanin në vitin 2019.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Kukësit, Telushi flet rreth aventurës së re, trajnerit Gega, duelit ndaj bullgarëve të Slavias në Europa League dhe objektivave të tij dhe klubit.

KUKËSI – “Ndihem vërtet mirë. Ndihem i vlerësuar nga ana e stafit dhe presidentit, nga të gjithë njerëzit që bëjnë pjesë në ekip. Kjo më bën të ndihem shumë komod me ekipin”.

GEGA&SLAVIA – “Gjetja e trajnerit Gega më bën të ndihem shumë mirë dhe i lumtur për këtë pjesë. Me shokët e ekipit, edhe pse i kam pasur kundërshtarë, kam marrëdhënie shumë të mira. Janë shumë çuna të mirë dhe të respektuar. Mendoj që ndeshje e parë nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim maksimumin tonë, me shpresën për të marrë një rezultat pozitiv”.

OBJEKTIVI – “Kukësi vajti kaq vite në Superiore që kërkon gjithmonë titullin kampion, apo të arrijë sa më lart. Pjesëmarrja ime këtu te Kukësi, është që të luajmë për të dalë kampionë, për t’i dhënë një ndihmë ekipit për të shkuar te titulli dhe Kupa e Shqipërisë, apo edhe pjesëmarrja në Europë. Shpresoj të arrijmë sa më lart”.

KARAKTERISTIKAT – “Mbahem për një karakter të fortë dhe kjo do të jetë ndihma ime më e madhe që do i jap ekipit. Shpresoj që edhe karakteri im, edhe karakteri i skuadrës së Kukësit, të arrijnë në një nivel sa më të lartë dhe të jemi sa më të fortë”.

PARTIZANI – “Nuk kam asnjë peng dhe tani jam pjesë e Kukësit. Dua të jap maksimumin tim te Kukësi dhe të shkojmë sa më lart”.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!