Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur procesin e verifikimit të tokave, lidhur me problemet e pronësisë dhe ndarjet manipulative, të cilat për dikasterin e ministrit Klosi, është arsye kryesore për mos-zhvillimin e turizmit dhe bizneseve mbështetëse në zonën e Spillesë dhe Vile Bashtovës.
Gjatë një aksioni pastrimi në plazhin e Spillesë dhe zonës përreth, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka vëzhguar nga afër problemet me ndarjen e tokave. Ky është identifikuar nga dikasteri që drejton edhe si problem kryesor i mosshfrytëzimit të potencialit turistik në këtë zonë, për të cilën tashmë po kryhen verifikime.
Blendi Klosi: “Eshtë e pafalshme që kjo zonë akoma nuk ka një zhvillim të vërtetë turistik. Nuk ka hotele të vërteta për mirëpritur qindra mijëra turistë, nuk ka biznese, të cilat të mbështesin këtë lloj turizmi pasi realisht e gjithë kjo situatë vjen nga problematika me tokën. Po ashtu bashkë me kryetarin e bashkisë folëm edhe me prefekten për të parë mundësinë e zhvillimit të agroturizmit në zonat pranë këtyre dy plazheve pasi realisht këtu kemi zona me trashëgimi të vërtetë historike dhe kulturore, kemi zona bujqësore shumë prodhuese, kemi zona që kanë potenciale të vërteta turistike dhe këto zona vazhdojnë të jenë akoma plazhe me kushte shumë minimale, përsa i përket turizmit dhe realisht të mos prodhojnë ekonominë që duhet banorët e kësaj zone”.
Ministri Klosi përsëriti apelin ndaj biznesit për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare ujërave të zeza dhe të ndotur, në të kundërt nuk do të lejohet veprimtaria turistike./abcnews.al