Brexit, Dhoma e Lordëve gjunjëzon Kryeministren May

schedule20:34 - 30 Prill, 2018

schedule 20:34 - 30 Prill, 2018

Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik votoi të hënën një draft që i jep pushtetit legjislativ kompetenca për të bllokuar apo vonuar çdo marrëveshje për largimin nga Bashkimi Europian që nuk është e leverdisshme për Mbretërinë e Bashkuar.

Dhoma e Lordëve votoi me 335 vota pro dhe 224 kundër amendamentin që i detyron ministrat të kthehen në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe madje i lejon Parlamentit të ndalojë procesin e Brexit-it nëse nuk aprovon marrëveshjen përfundimtare me BE-në.

“Këtu nuk bëhet fjalë për krijimin e një krize kushtetuese, apo për një krizë institucionale. Këtu i kërkohet Parlamentit të vendosë nëse rezultati i negociatave me Brukselin është ai i duhuri”, ka deklaruar Dajen Hejter, zëdhënëse e partisë opozitare Laburiste.

Rezultati i votimit, që përbën një goditje të rëndë për kryeministren Theresa May, ishte gjithësesi i pritshëm pasi kjo është hera e shtatë në javët e fundit që Dhoma e Lordëve gjunjëzon qeverinë në lidhje me ligjin që i jep zyrtarisht fund anëtarësisë së Mbretërisë së Bashkuar në BE. Megjithatë, amendamenti i kritikuar nga qeveria mund të rrëzohet në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ku kryeministrja May gëzon shumicën, edhe pse e brishtë.

Nga ana e saj, qeveria është zotuar se do t’i japë Parlamentit të drejtën e votës në lidhje me marrëveshjen, por e ka fragmentarizuar këtë opsion në një zgjedhje mes pranimit të kushteve të negociuara me Brukselin, apo refuzimit të tyre dhe daljes nga Unioni pa një marrëveshje. /abcnews.al