Barcelona mposhti 3-1 Napolin në “Camp Nou” (1-1 ndeshja e parë) dhe u kualifikua në çerekfinalet e Champions League, raund në të cilin do të ndeshet me Bayern Munchen, sfidë që do të luhet në Lisbonë të premten e 14 gushtit.
Leo Messi realizoi një eurogol kundër ekipit të Gattusos, teksa ka “shënuar” një gol edhe më të bukur jashtë fushave. Argjentina e tij po vuan shumë nga pandemia e koronavirusit, njësoj si të gjithë shtetet e Amerikës Latine në këtë periudhë.
Mbi 246 mijë persona janë infektuar dhe 4634 prej tyre kanë humbur jetën në vendin ku kanë lindur shumë talente të lojës më të bukur me top. “Pleshti” ka vendosur të japë kontributin e tij në këtë moment të vështirë.
Nëpërmjet fondacionit të tij, ylli i Barcelonës ka dhuruar 50 respiratorë artificialë për spitalet e Rosarios, me 32 prej tyre që kanë mbërritur në aeroportin e qytetit të vendlindjes të premten e kaluar. /abcnews.al