Mozzik është përballur kohët e fundit më një sërë kritikash dhe problemesh. Që me publikimin e këngës “Madonna”, reperi shqiptar nga Kosova ka qenë në qendër të kritikave për shkak të fjalëve të përdorura në tekst. Por përpos kësaj, kënga ka arritur të marrë rreth 20 milion klikime, duke e përfshirë reperin në listën e artistëve më të dëgjuar prej disa javësh.
Së fundmi, Mozzik njoftoi se pas publikimit të albumit “Mozzart” do të niste një tur nëpër Kosovë për të shpërndarë CD falas për fansat e tij. Por një ditë më parë, qeveria urdhëroi ndalimin e turit për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit nga grumbullimi masiv i të rinjve.
Pasi akuzoi mediat si fajtore për ndërprerjen e fushatës së tij për shpërndarjen e albumit, pasi disa prej tyre shkruanin se ai po rrezikon fansat në këtë periudhë pandemie, Mozzik kërkoi ndjesë. Teksa publikoi një video me fansat gjatë turit, reperi u shpreh se qëllimi i tij i vetëm ishte që t’i shihte fansat të buzëqeshur.
“MOZZART! Ju dua shumë, ju pafsha gjithmonë të buzëqeshur se për këto buzëqeshje e kam bërë këtë, dhe për asnjë përfitim tjetër. Më falni nëse e bëra tollovi pak. Sinqerisht Mozzik!”, shkroi ai krahas videos. Por këto probleme se kanë ndalur suksesin e reperit.
Sipas Billboard Albania, Mozzik është renditur për të gjashtën javë radhazi si ndër artistët më të dëgjuar. Duket se reperi po e mban premtimin e dhënë ndaj fansave se 2020-ta do të jetë viti i tij. Albumi i tij që u publikua me 31 Korrik është pritur mjaft mirë nga publiku, dhe duket se reperi do të mbajë “fronin” edhe më shumë duke lënë pas emra të tjerë të suksesshëm të estradës shqiptare. /abcnews.al/