Në vendin ku ndodhen 85 liqene, gjërat kanë nisur të ndryshojnë. Qyteti, qendra e Dumresë ka marrë një pamje tjetër dhe banorët ndjehen të kënaqur që zona e tyre tashmë do të jetë më shumë e dëshiruar nga vizitorët.
Dumreja, një pllajë e njohur në Shqipëri veçanërisht për numrin e madh të liqeneve karstikë.
Ajo ka në përbërje qytetin Belësh dhe 40 fshatra.
Termi Dumre (Duam-re) në fakt të jep përshtypjen e një treve të thatë, por prezenca e liqeneve është dëshmi e një ekuilibri të habitshëm që ka bërë natyra.
E njohur për bukuritë dhe peisazhin e veçantë, e vendosur në qendër të Shqipërisë, nxitën rilindësin e madh Sami Frashëri që ta propozojë atë si Kryeqytet të Shqipërisë. Kjo ëndërr nuk u bë asnjëherë realitet.
Prezenca e mbi 85 liqeneve vjen si rezultat i përbërjes së veçantë gjeologjike të territorit, ku mbizotëron elementi karstik. Krijimi i tyre ndër shekuj ka ardhur si pasojë e formimit të gropave nga lëvizjet tektonike ose vullkanike të tokës. Liqenet përbëjnë 3% të territorit të përgjithshëm të Dumresë.
Ata janë një burim i mirë hidrik për ujitjen e tokave, vetëm se problem mbetet shfrytëzimi pa kriter dhe hedhja e mbeturinave.
Qytetarët i janë gëzuar ndryshimit dhe e shohin turizmin si një mundësi për rritjen e të ardhurave. Ndërtimi i rrugës së re që lidh Cërrikun me Belshin dhe Urën Vajgurore i afron ata me tregje të mëdha si Elbasanin dhe Tiranën.
Kështu edhe Dumresë i janë çelur perspektiva të reja të favorizuara nga natyra dhe historia e pasur e zonës. Thjesht duhen ide, ndërgjegjësim, projekte, investime dhe konkretizim i tyre.
Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu