Mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD, do miratohen ndryshimet statutore

schedule11:00 - 29 Prill, 2018

schedule 11:00 - 29 Prill, 2018

Ka nisur prej orës 10 e 25, Kuvendi Kombëtar i PD që do miratojë ndryshimet në statutin e kësaj partie. Rreth orës 10, mbërriti ish kryetari i PD Sali Berisha e pas tij edhe kryetari aktual Basha. Më herët mbërritën ata që njihen si kritikë të Bashës, Eduard Selami, Besnik Mustafaj e Edith Harxhi. Siç ishte bërë e ditur mungojnë, ish-nënkryetarët e PD-së, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, si dhe ish-ministrat Bode e Bregu.

Në Kuvend merr pjesë edhe ish presidenti i Republikës Bujar Nishani, si dhe aleatët Fatmir Mediu, Agron Duka e Nard Ndoka. Nga LSI në Kuvend merr pjesë kryetarja Monika Kryemadhi dhe kreu i grupit parlamentar.

Pjesa e parë ka nisur me fjalime nga kategori qyetarësh që mbështeten nga PD, si shtresat më në nevojë, biznesi i vogël e i mesëm, ish të përndjekurit, qytetarët e Kukësit që protestuan për tarifën e rrugës së kombit dhe përfaqësues të më të vjetërve e të rinjve në PD.

Kuvendin e PD-së e hapi nënkryetari i PD-së Edi Paloka për të vijuar më pas me anëtaren më të moshuar në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Fato Murraj.

Shqetësimi për biznesin dhe taskat e rritura ndaj biznesit të vogël ishin pjesë e fjalimit të deputete s Jorida Tabaku dhe tregtarit Petrit Xhepi, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Heqja nga skema e ndihmës ekonomike. Një familjare nga Kavaja Mënyre Lila foli për heqjen nga ndihma ekonomike. Ajo  jeton pa të ardhura, me bashkëshortin, vajzën e divorcuar dhe mbesën me aftësi të kufizuara. Për këtë çështje foli në Kuvendin Kombëtar tëPD-së edhe deputetja Grida Duma.

Uran Kostreci, ish-i përndjekur, së bashku me deputetin Enkelejd Alibeaj, folën gjithashtu në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Taksa për rrugën e Kombit dhe arrestimi i protestuesve, ishin një tjetër pjesë e fjalimeve të Kuvendit demokrat. Për këtë foli protestuesi Lulzim Popa, i cili u arrestua nga policia e shtetit, pasi kërkonte heqjen e tarifës për “’Rrugën e Kombit”. Për këtë çështje dhe në mbështetje të tyre foli dhe deputeti demokrat kuksian Flamur Noka në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi foli për largimin e trurit nga Shqipëria, së bashku me anëtaren më të re të Kuvendit Kombëtar demokrat Xhovana Bala.

Pjesa e dytë, do i kushtohet debatit për ndryshimet statutore, të cilat janë shoqëruar këto ditë me kritika, kryesisht lidhur me rolin dhe pergjegjesite e kryetarit. Më pas ndryshimet do i nënshtrohen votës së 7500 delegatëve të këtij Kuvendi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!