Zidane: Bale vendosi vetë, Hazard gati. City? Përgatituni për futboll të bukur

schedule21:58 - 6 Gusht, 2020

schedule 21:58 - 6 Gusht, 2020

Real Madrid do të tentojë të përmbysë Manchester City nesër në mbrëmje (21:00). Kampionët e Spanjës e kanë humbur 1-2 ndeshjen e parë në shtëpi, por kjo nuk i demoralizon. Zinedine Zidane karikon skuadrën e tij në konferencë për shtyp, aty ku ndalet te Gareth Bale, i cili nuk është grumbulluar për sfidën ndaj ekipit të Pep Guardiolës.

BALE – “Bale është futbollist i Real Madrid, asgjë nuk ka ndryshuar dhe e respektoj vendimin e tij. Shumë gjëra janë folur në lidhje me këtë temë, por mes nesh ekziston respekti që duhet të jetë mes trajnerit dhe një lojtari. Kam biseduar me të privatisht dhe ai preferoi të mos merrte pjesë në këtë ndeshje. Kaq mund t’iu them, pjesa tjetër është mes tij dhe meje”.

HAZARD – “Eden ka pasur disa probleme fizike në fund të kampionatit, por tani ndihet mirë dhe është i mbushur plot besim. Ka qenë e vështirë për të të luajë çdo 2-3 ditë, por ka lënë pas krahëve problemet dhe shpresoj të fokusohet tek e ardhmja”.

SKUADRA – “Të gjithë lojtarët janë në formë dhe e kemi përgatitur shumë mirë këtë ndeshje. E dimë se ndodhemi në disavantazh, por e kemi edhe një shans, kështu që jemi gati të zhvillojmë një ndeshje të madhe”.

PËRBALLJA – “Nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, por do të shohim një përballje të bukur midis dy ekipeve shumë të mira. Kjo është më e rëndësishmja. E kemi të qartë situatën tonë, e kemi humbur takimin e parë, por kanë mbetur edhe katër finale dhe duam t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticioni”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!