Nuk ka më dilema rreth stadiumit ku do të luhet ndeshja Barcelona-Napoli. Këto dy ekipe e mbyllën në barazim 1-1 sfidën e luajtur në “San Paolo” dhe do të ndeshen sërish të shtunën (8 gusht, 21:00) mes tyre për një vend në çerekfinalet e Champions League.
Situata e vështirë e krijuar prej koronavirusit në Spanjë, rrezikoi zhvillimin e këtij takimi në “Camp Nou”. Disa alternativa u diskutuan, si ajo e zhvillimit të ndeshjes jashtë Spanjës, por autoritetet shtetërore te vendit iberik kanë marrë vendimin përfundimtar.
“Ndeshja do të luhet në ‘Camp Nou’ ashtu siç ishte programuar më parë. Situata e kësaj jave është disi më e mirë se ajo e javës së kaluar. Ndeshja do të luhet me dyer të mbyllura dhe në bazë të protokollit mjekësor që ka përcaktuar UEFA.
Në stadium do të marrin pjesë jo më shumë se 350 persona“, deklaroi Josep Maria Argimon, Sekretari i Shëndetit Publik të Barcelonës për RAC1. 1772 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar ditën e sotme në Spanjë.
Situatë është shumë problematike, në kryeqytetin e Madrid është dyfishuar numri i njerëzve të infektuar, ndërsa në Katalonjë ka një rritje të rasteve, teksa numërohen 333 persona pozitivë më shumë se ditën e djeshme. /abcnews.al