Mbrojtësi i Tiranës, Albi Doka, nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve. Ai ka firmosur në Kroaci me skuadrën e NK Gorica dhe ikën nga bardheblutë pas fitimit të titullit kampion. Doka, përmes një postimi në “Instagram”, falënderoi të gjithë pjesëtarët e klubit, si dhe theksoi se kjo nuk është një lamtumirë, por mirupafshim.
“Faleminderit Tirona ime. E nisa që fëmijë me këto ngjyra, me mendjen për të punuar, për të arritur të përfaqësoja denjësisht këtë bluzë. Arrita me shumë punë, sakrificë dhe shumë pasion të përfaqësoja qytetin e Tironës dhe ekipin bardheblu. Jam shumë krenar për këtë arritje.
Fitova me moshat dhe pastaj gjithçka me ekipin e parë. Është shumë e vështirë për mua ta them, por erdhi momenti të ndahem nga ngjyrat e ekipit të zemrës, të ndahem nga tifozët bardheblu,” shkruan 23-vjeçari krahas videos në “Instagram”.
“Dua të falenderoj Presidentin Refik Halili që ka qenë si një prind për mua, Klubin e Futbollit Tirana për mundësinë që më dha të arrija në këto nivele, falënderoj të gjithë trajnerët dhe veçanërisht profesor Egbonë dhe bashkëlojtarët që kemi luajtur ndër vite.
Falënderoj edhe familjen time për mbështetjen e madhe. Sigurisht dua të falënderoj përzemërsisht tifozërinë më të zjarrtë në botë, atë bardheblu. Nuk është një Lamtumirë, por një Mirupafshim!”, mbyll Doka në postimin e tij. /abcnews.al