Miratohet negociimi për kalimin e pronave publike tek privati për teatrin

schedule15:59 - 26 Prill, 2018

schedule 15:59 - 26 Prill, 2018

Procedura e negocimit për kalimin tek privati i disa pronave të Bashkisë, për të realizuar ndërtimin e Teatrit Kombëtar është miratuar vetëm me votat socialiste në Këshillin Bashkiak. Për ta kundërshtuar, bashkë me opozitën ishin edhe artistët, të cilët deklaruan se do presin të shohin të zbardhur projektvendimin e miratuar, e më pas do të vendosin se çfarë rruge do të ndjekin.

Socialistët në Këshillin Bashkiak të Tiranës miratuan me votat e tyre procedurën e negocimit për të kaluar në pronësi të kompanive private disa prona të bashkisë.

Opozita braktisi mbledhjen me argumentin se gjashtë këshilltarë të mazhorancës qëndronin në sallë ndonëse Gjykata e Tiranës mandatet e tyre i ka shpallur të jashtëligjshme.

Këshilltarët e saj kundërshtuan gjithashtu edhe dy projektvendime të Këshillit Bashkiak.

“E para është projekt i sponsorizuar nga një mafie e re në Tiranë, mafia e naftës për të gllabëruar mushkërinë e vetme apo ndër të vetmen të mbetura në Tiranë, Parkun Rinia. Për ta betonizuar, kjoskëzuar dhe për të bërë çdo fëmijë të Tiranës për të paguar një taksë për të luajtur me barin dhe pemët e atij parku. Kjo votë në këtë këshill kërkon 3/5. Vendimi i dytë që është edhe më kriminal është fillimi, formalizimi i rrugës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe mbjelljes së disa kullave shumëkatëshe, duke kryer një krim shumëdimensional karshi trashëgimisë sonë kulturore, karshi dendësisë dhe hapësirave të qytetit. Është një kanibalizëm kulturor. Edhe ky kërkon 3/5 e votave në Këshillin Bashkiak”, theksoi Çollaku.

Por ndërkohë që brenda dyerve të Bashkisë së Tiranës vijonin diskutimet, jashtë tyre një grup artistësh shprehën shqetësimin se në këtë mbledhje do të vendosej për fatin e truallit të Teatrit Kombëtar.

Pas disa përpjekjesh, një përfaqësi e tyre hyri në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku dëgjoi sqarimet e kryetarit të Këshillit, Aldrin Dalipi.

“Ky vendim nuk ka lidhje fare me Teatrin Kombëtar në asnjë pikë të vetën. Një çelës sigurie në lidhje me këtë është fakti që çdo kontratë që do rrjedhë nga ky vendim do të vijë në Këshillin Bashkiak dhe çdp kontratë që rrjedh nga ky vendim kërkon për miratim nga Këshilli Bashkiak, tre të pestat, më shumë se 36 vota”.

Detajet për atë që parashikon projekvendimi i dha nënkreytari i Bashkisë, Abaz Hado.

“Bën fjalë për pjesë brenda sipërfaqeve të individëve të caktuar, ku shteti ka, bashkia ka, pjesë të vogla. Dhe ne ia ofrojmë këto pjesë për efekte sociale”.

Me përfundimin e mbledhjes, artistët deklaruan se pasi të shohin të zbardhur projektvendimin e miratuar dhe konsultimit me juristët do të vendosin se çfarë rruge do të ndjekin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!