Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar një sasi rekord kokaine të nisur nga Kolumbia, që në treg do të kapte vlerën e 470 milionë eurove. Zyrtarët iberikë kanë deklaruar se kanë goditur rëndë një organizatë kriminale ndërkombëtare.
Në Spanjë është sekuestruar ajo që autoritetet e kanë cilësuar si ngarkesa më e madhe e kokainës. Bëhet fjalë për 9 tonelata kokainë, që ishin nisur nga Kolumbia me destinacion portin Algesiras, të fshehura në një ngarkesë bananesh.
Sipas autoriteteve spanjolle, fshehja e drogës mes frutave ishte bërë në një konteiner të nisur nga lokaliteti Antiokia Uraba 15 ditë më parë. Përveç ngarkesës, agjentët kanë arrestuar edhe 5 anëtarë të rrjetit ndërkombëtar që kishte për detyrë të priste lëndën narkotike në Europë.
Operacioni ishte koordinuar mes marinës kombëtare dhe policisë gjyqësore, që njoftuan policinë se ngarkesa ilegale po udhëtonte në bordin e një anijeje me emrin “Lucie Schulte”, e nisur nga Kolumbia.
“Bëhet fjalë për një ofensivë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare të trafikut të drogës, që kanë kryer krime në rajonin Uraba të Kolumbisë dhe në Spanjë”, kanë deklaruar autoritetet.
Ngarkesa i përkiste një organizate, pjesë e klanit të Gjirit, që ka kontakte të shumta në portin e Spanjës, vend që është dhe një ndër tregjet kryesore të tij të konsumit të narkotikëve. Llogaritet se vlera e saj në treg do të arrinte në 470 milionë euro, që mund të kishin përfunduar në xhepat e organizatës kriminale të strukturuar./abcnews.al