Zlatan Ibrahimovic ka transformuar Milanin. Rikthimi i tij në Milanello ka qëlluar pozitiv për skuadrën italiane, që në vitin 2020 është paraqitur shumë mirë. Ismaël Bennacer ndalet te shoku i skuadrës në prononcimin e fundit, duke vlerësuar sulmuesin e famshëm.
“Ibra na ndihmon shumë, ai nuk dëshiron të humbasë asnjë top dhe ia del të nxjerrë më të mirën nga të gjithë. Nëse nuk i bën gjërat siç duhet, ai të ‘vret’. Ibra është i tillë dhe ka të drejtë të ulërijë kur bën diçka të gabuar.
Mësoj shumë prej tij, është një futbollist shumë i rëndësishëm“, deklaron Bennacer për Sky Sport. Tifozët e Milanit shpresojnë ta shohin sërish pjesë të skuadrës së tyre të zemrës dhe akordi për rinovimin me 38-vjeçarin është shumë afër.
La Reppublica raporton se drejtuesit e klubit italian i kanë ofruar Ibrës rinovimin me një tjetër vit, me një rrogë prej 4 milion eurosh në sezon + bonuse. Një propozim që e tundon liderin e ekipit dhe shumë shpejt pritet të vijë zyrtarizimi i marrëveshjes. /abcnews.al