Presidenti francez, Emmanuel Macron është i pari lider që u prit në Shtëpinë e Bardhë me ceremoni shtetërore nga homologu i tij amerikan, Donald Trump. Të dy presidentët kanë shkëmbyer dhurata me njëri-tjetrin. Analistët shprehen se misioni i Presidentit francez është të bindë homologun e tij amerikan për Iranin.
Shkëmbim dhuratash me vlerë simbolike të lartë mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut francez, Emmanuel Macron. Temat kryesore të bisedës në Shtëpinë e Bardhë mes dy liderve nisnin nga marrëveshja për programin bërthamor iranian deri në çështjen e Koresë së Veriut, luftimet në Siri dhe ndryshimet klimaterike. Kreu i Elizesë i dhuroi Trump një pemë, të cilën e mbollën së bashku ne oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa Presidenti amerikan i dhuroi Macron një copë stofë në kornizë nga karriget e dhomës blu me një shqiponjë ari. Karriget janë dizenjuar për Shtëpinë e Bardhë nga francezi Pier-Antuan Belonzhe.
Sipas analistëve, misioni i vërtetë i Presidentit francez Macron është të bindë homologun e tij amerikan, gjatë vizitës tre ditore, për rëndësinë e marrëveshjes me Iranin përsa i përket programit bërthamor të Iranit. Sipas asaj që parashikohet nga traktati i nënshkruar në 2015-n, Teherani ka reduktuar në mënyrë drastike aktivitet e tij rreth pasurimit me uranium, si dhe ka lejuar kontrolle në qendrat bërthamore nga ana e agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore. Në Janar të këtij viti, Trump e cilësoi traktatin në fjalë si marrëveshjen më të keqe që kishte firmosur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke lënë të kuptohej se mund të tërhiqej e të ndërpriste traktatin dhe të vendoste sanksione të reja ndaj Teheranit.
Në 12 Maj skadon dhe afati i fundit për rinovimin e këtij traktati nga pala amerikane. Në këtë kontekst Macron do të jetë një lloj zëdhënësi i komunitetit ndërkombëtar, duke u përpjekur të bindë Trump që të rinovojë traktatin. Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, Presidenti francez u shpreh se nuk ka një “Plan B” ndaj tërheqjes nga pala amerikane nga kjo marrëveshje me Iranin. E vetmja strategji e Macron është të bindë homologun e tij se nuk ka asnjë opsion tjetër ndaj rinovimit. Ndërkohë fuqitë e tjera që kanë firmosur si Rusia, Britania e Madhe, Kina dhe Gjermania janë në pritje të lëvizjes së radhës së Macron.
Në pritje të fjalimit në Kongresin amerikan, Macron do të bisedojë në Studion Ovale me Trump. Ky konsiderohet dhe momenti më i rëndësishëm i vizitës së tij, nga i cili mund të varet e ardhmja e shumë çështjeve ndërkombëtare./abcnews.al