Gjiknuri për koalicionet: Sillni një model të vendeve perëndimore dhe e implementojmë

schedule15:14 - 28 Korrik, 2020

schedule 15:14 - 28 Korrik, 2020

Ka përfunduar pa konsensus mbledhja e Këshillit Politik të mbajtur ditën e sotme. Duke folur për mediat, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri u shpreh se nëse opozita sjell një model të vendeve perëndimore, “jemi gati ta implementojmë.”

Mazhoranca vijon të këmbëngulë që opozita të gjejë një model të një vendi brenda hapësirës së OSBE/ ODIHR që ka edhe lista të hapura edhe sistem proporcional rajonal dhe ky model mund të implementohet direkt.

Koalicionet rregullohen në kod, le të marrim një model. Ne jemi dakord, çdo vend i hapësirës së OSBE-së, që ka këtë sistem, le të zgjedhin formulën. Parlamenti nuk ka bërë asnjë gabim, e gjithë procedura është në rregull, edhe referuar shqetësimeve për frikën si ishte shkruar dispozita, do të thotë se parlamenti ka reflektuar, por hajde të gjejmë modelin. Fleta e votimit është problem teknik, këtu kemi problemin principal, koalicion sipas një modeli të vendeve të OSBE-së,” tha Gjiknuri.

Po ashtu gjatë fjalës së tij, Gjiknuri ka akuzuar opozitën jashtë parlamentit se është duke e zvarritur këtë proces.

Fatkeqësisht opozita jashtë parlamentit ndodhet në qëndrimet bllokuese për të bllokuar kushtetutën apo implementimin bazuar te 2-3 kërkesat e saj të natyrës politike. Amendimet kushtetuese, por edhe ata nuk japin asnjë argument, përtej kushtit që koalicionet të jenë sikur janë dhe asgjë tjetër. Por amendimet nuk pengojnë hapjen e listave 100% dhe as koalicionet parazgjedhore. PD-ja ka thjesht qëllimin e bllokimit për të mos e bërë të mundur këtë arritje,” u shpreh ai. /abcnews.al/