Hetimet për “teatrin” Bylisi-Tirana, shanset për ndëshkime gati zero

schedule21:15 - 28 Korrik, 2020

schedule 21:15 - 28 Korrik, 2020

Mund të mos ketë ndëshkime për ndeshjen e Kupës Bylis-Tirana, që po hetohet nga Komisioni I Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Burime në Federatë bëjnë me dijë se procesi pritet të mbyllet pa fajtorë.

Në kohën që ndodhi buja ishte e madhe. Bylis-Tirana u cilësua nga mediat, një pjesë e madhe e publikut, si dhe nga vetë presidenti kryeqytetas Halili, si një ndeshje me dyshime të mëdha për trukim rezultati. Rezultati i sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës doli 2-1 për vendasit, mënyra e shënimit të golave ishte për të menduar të keqen dhe hetimet nisën, ndonëse duket se ato nuk do të japin atë rezultat që pret opinioni.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për Abc Neës, se edhe ky rast pritet të përfundojë si ata përpara tij, pra pa të ndëshkuar. Çështjen e ka marrë në dorë Komisioni i Etikës, pas këmbënguljes së UEFA-s, por pas disa mbledhjeve nuk është dhënë asnjë vendim.

Në të kaluarën, Etika ka dhënë shumë pak dënime, mes të cilëve atë të Skënderbeut në 2016, por që u përpilua në mënyrë të tillë që u hodh poshtë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Përsa i përket Bylis-Tirana, vetë presidenti i Federatës, Duka, bëri deklaratë të fortë pak ditë më parë, ndërsa vizitonte punimet në stadiumin e Kukësit.

“Është një dyshim i fortë që ndeshja Bylis-Tirana është e dyshuar për trukim. Unë nuk jam jurist dhe hetues. Jam një opinionit dhe më është dukur edhe mua si tifozëve të tjerë. Juristet dhe hetuesit po mundohen të mbledhin prova për të parë nëse kemi të bëjmë me një ndeshje të trukuar. Jo vetëm hetuesit dhe juristët shqiptar, por edhe ndërkombëtarë dhe UEFA në bashkëpunim të ngushtë, po hetojnë që nga dita e parë për të dalë në një konkluzion”.

Gjithsesi, sipas burimeve të mësipërme, e vetmja gjë që do të bëhet për ndeshjen e Kupës do të jetë procesi hetimor, ndërsa shpresa për të marrë ndonjë vendim tjetër mbetet vetëm tek prokuria, e cila po ashtu besohet se ka hapur një hetim. /abcnews.al