Edi Martini ka udhëhequr Teutën drejt kupave të Europës dhe kërkon të fitojë Kupën e Shqipërisë. Shkodrani i pankinës së durrsakëve, në emisionin “Pressing” në ABC News ka folur për shumë tematika.
“Verdiktet e sezonit janë të drejta. Ekipet kanë marrë atë që kanë merituar. Ndoshta ne mund të kishim marrë diçka më shumë. Tabela tregon atë që ekipet kanë dhënë në fushë. Ne e kemi arritur objektivin e klubit. Me mënyrën e lojës mund të ishim më lart. Gjithsesi jam i lumtur për arritjen e objektivit”.
“Vuhet për mbrojtës qendre, por është çështje komplekse. Duhet të mbrojnë të gjithë. Është e vështirë të gjesh lojtar. Tirana ka futur lojtarë krahu në qendër, edhe pse janë kampion. Duhet kujdes dhe punë e madhe për të gjetur një mbrojtës qendre”, tha mes të tjerash Martini.
“Nuk mendoj se Tirana ka shumë diferenca. Do thosha që Kukësi është ma lart në emra. Ata janë më ekip. E kanë merituar titullin, por shpesh bëhem xheloz. Egbo thotë “Zoti, Zoti”, por ne nuk na ndihmoi e nuk ecet para veç me Zotin. Kanë pasur edhe fat, kanë marrë të paktën 12 pikë në fund”.

“Kemi bërë disa ndeshje të mira, mundëm partizanin në Tiranën. Kemi ceduar me Flamurtarin. Na mungonte ekuilibri në fillim, nuk e shikonim njëri-tjetrin në sy. Gjatë pushimit reflektuam, nisëm të njihnim njeri-tjetrin. Pati harmoni dhe erdhën edhe rezultate. Nëse do kishim qenë pak më të përqendruar do kishim shkuar më lart. Na ngel pak peng në fakt.
Kemi bërë dy barazime me ekip që kanë fituar të gjitha, kemi humb penallti në Korçë. Kemi luajtur mirë edhe me Tiranën. Ne na i mori në shtëpi pikët me Flamurtarin. Në disa raste na ka penalizuar arbitri. Kemi 6-7 pikë më pak. Po t’i kishim do ishte ndryshe. E kemi arritur objektivin.
Me Vllazninë në Kupë ishte ndeshje e frikshme. Me Kukësin ishte më e sikletshme. Aty ka treguar karakter ekipi. Nuk u dorëzuan në asnjë moment. Faulli ku shënuam ishte identik si me Luftëtarin. Shpëtuam. Pas ndeshjes me Tiranën, që e fituam 1-0, ekipi fitoi besim dhe e kthyem mentalitetin dhe të themi se nuk ka më të mirë se ne. Ekipi u lidh dhe krijoi personalitet. Jemi një ekip që kemi bërë futboll të bukur. Nuk ka gjë konkrete për të ardhmen. Pas Kupës do të flasim. Nuk ka një plan për momentin”. /abcnews.al

