Plazhi jo gjithnjë bën mirë! Këtë e thonë mjekët reumatolog të cilët tregojnë se po përballen me pacientë të që kërkojnë ndihmën e tyre kur gjendja shëndetësore është rënduar, pa kuptuar se problemi i është shkaktuar nga dielli dhe rëra.
Reumatologia Blerina Dhamo në Spitalin Hygeia në Tiranë këshillon për kujdes të veçantë personat që vuajnë nga lupusi eritematosistemik.
“Është një sëmundje që prek lëkurën me disa shenja dhe njolla të kuqe që mund të shfaqen në pjesën e fytyrës dhe në pjesën e trupit. Gjithashtu prek kyçet, por edhe organet e brendshme. Duhen përdorur patjetër kremra dielli. Këtyre pacientëve nuk u rekomandohet të dalin në orët e nxehta sepse dielli shërben si një aktivizuese i sëmundjes”, tregon reumatologia.
Ndërsa ata që vuajnë nga artriti rheumatoid mjekja i këshillon të shmangin rërën e nxehtë.
“Rëra e nxehtë dhe ekspozimi në diell shkakton inflamacion në kyçe. Një inflamacion që jep dhimbje shumë të forta. Do t’u rekomandoja që mund të qëndrojnë në det, të bëjnë not, por qëndrimin në diell pa orar dhe futja në rërë të nxehtë nuk do ta këshilloja sepse do të acaronte dhimbjen e kyçeve”, shprehet ajo.
Guta është një tjetër sëmundje që reumotologia Blerina Dhamo në Spitalin Hygeia në Tiranë tregon se ndeshet shpesh gjatë stinës së nxehtë.
“Vijnë shumë pacientë me dhimbje të këmbëve. Arsyet kryesore janë hidrimi, një tjetër arsye është përdorimi i alkoolit. Do të rekomandoja që të mos abuzohen me kaloritë e marra në formën e birrës apo të mishit, por të hidrohemi sa më shumë dhe të përdorim kompresa të ftohta tek kyçet që dhëmbin”, tha ajo.
Duke ndjekur disa këshilla të thjeshta mjekja thotë se pushimet verore mund ti kalojnë këndshëm dhe ata që vuajnë nga problemet reumatizmale./abcnews.al/

