Juventusi u shpall kampion i Italisë mbrëmjen e kaluar, për herë të 36-të në histori. Bardhezinjtë siguruan titullin e nëntë radhazi, teksa Maurizio Sarri e kishte për herë të parë.
Trajneri shfaqet modest në prononcimin e dhënë për Sky Sport, duke ia kaluar të gjithë meritën lojtarëve, në një sezon ndryshe, kjo si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Ky titull ka një aromë të veçantë. Të fitosh nuk është aspak e lehtë, por Juventusi e bën prej vitesh diçka të tillë. Është gjithmonë e rrezikshme kur një gjë merret si e sigurt në sport.
Ka qenë një vit i mundimshëm, një kampionat i veçantë dhe shumë i rivalizuar. Ia dolëm të fitonim titullin dy javë përpara fundit dhe merita është e gjitha e lojtarëve.
Dëmtimi i Dybala? Do e vlerësojmë gjendjen e tij, ekziston ndjesia që ishte një problem muskulor. Kisha frikë nga kova e ujit në festën me lojtarët, por e mora më vonë gjithsesi“, deklaron trajneri i bardhezinjve. /abcnews.al