Mesatarisht në qarkun e Tiranës shfaqen 5 deri në 6 vatra zjarri në ditë.
Në një intervistë për “ABC News”, kreu i zjarrfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj shpjegon edhe faktorët kryesorë të rënies së zjarrit dhe se nga çfarë qytetarët duhet të tregojnë kujdes.
“Mesatarisht këto ditë kemi pasur 5 ose 6 vatra zjarri. Ne si qytetarë jemi të kujdesshëm në përdorimin e zgarave kur dalim në periferitë e Tiranës, sidomos në fundjavë, kur duam të eliminojmë mbeturinat bujqësore apo duam të hapim tokë të re për të mbjellë pemë frutore, asnjëherë nuk duhet të përdorim zjarrin. Ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe kur flakim bishtin e cigares. Piku më i madh ka qenë në vitin 2017. Urojmë që ai vit mos të përsëritet më”, shprehet ai.
Goxhaj shpjegon se disa automjete të shërbimit zjarrfikës do të vendosen në disa zona të ndryshme ne periferi të Tiranës, për të qenë në gatishmëri.
“Do vendosim në Parkun e Dajtit një automjet, do kemi në zonën e Farkës dhe një automjet mendojmë ta kemi në zonën e Pezës që në rast se shfaqen vatra zjarri në këto zona, të jetë automjeti që është i dislokuar nga ana jonë në këto zona dhe të jetë i pari që të veprojë. Më pas të mbështetet nga mjetet e tjera të drejtorisë sonë”, tha ai.
Këtë muaj, në shërbimin zjarrfikës pritet të futen edhe 50 punonjës të rinj profesionistë. Ndërsa deri në mesin e shtatorit shërbimi zjarrfikës do të jetë në gatishmëri./abcnews.al/