Belgjikë, gjykata dënon Abdeslam me 20 vite burg për sulmet terroriste

schedule10:30 - 23 Prill, 2018

schedule 10:30 - 23 Prill, 2018

Salah Abdeslam, terroristi që organizoi sulmet në Paris ku u vranë 130 persona është dënuar në belgjike me 20 vite burg. Ai u shpall fajtor nga drejtësia belge për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me motive terroriste. Aktualisht Abdeslam ndodhet në një burg të Francës, në pritje të vendimit të gjykatës për sulmet e Parisit.

Gjykata penale e Belgjikës ka shpallur fajtor 28-vjeçari Salah Abdeslam, të vetmin autor të mbijetuar nga sulmet terroriste të nëntorit 2015 në Paris. Sëbashku me bashkëpunëtorin e tij, Sofien Ayari janë dënuar me nga 20 vite burg. Ata u shpallën fajtorë, pavarëisht kundërshtimit të avokatëve mbrojtës, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me natyrë terroriste si dhe për armëmbajtje pa leje.

Akuzat kundër tyre u ngritën për ngjarjen e ndodhur në mars të 2016-ës në lagjën Molenbeek në Bruksel, ku Abdeslam gjatë tentativës për arratisje qëlloi në drejtim të agjentëve të policisë. Avokati mbrojtës i tij, e konsideroi të papranueshëm vendimin, duke thënë se ngjarja nuk kishte lidhje me terrorizmin.

Gjatë operacionit në Molenbeek 3 policë mbetën të plagosur, njëri prej tyre ishte në gjendje të rëndë madje. Në atë kohë, Abdeslam ia doli që të arratisej sëbashku me Sofien Ayari, kurse një bashkëpunëtor i tyre, Mohamed Belkaid u vra. Disa kohë më pas, policia belge bëri të mundur arrestimin e terroristit Abdeslam, i cili në paraqitjen e tij të fundit në gjykatën e Brukselit tha: “Unë nuk kam frikë prej jush, nuk kam frikë nga aleatët tuaj, bashkëpunëtorët tuaj, kam besim tek Zoti”.

Pas atij procesi, 28-vjeçari u ekstradua në Francë, ku akuzohet se organizoi sulmet terroriste të nëntorit të 2015 në Paris ku u vranë 130 persona. /abcnews.al