Interi u rikthye te fitorja pas dy barazimeve radhazi në kampionat. Zikaltrit e Antonio Contes, fituan 0-3 jashtë fushe kundër Genoas, duke u ngjitur në vendin e dytë në Serie A.
Romelu Lukaku zhbllokoi shifrat në minutën e 34-t. Bomberi belg shënoi me kokë pas një krosi të Biraghit. Goli i qetësisë erdhi shtatë minuta nga fundi. Victor Moses veproi bukur në krahun e djathtë dhe dhuroi një asist perfekt për Alexis Sanchez.
Sulmuesi kilen nuk gaboi përballë Perin dhe gjeti golin e katërt për këtë sezon në Serie A. Në shtesa realizoi sërish Lukaku. 27-vjeçari shënoi një gol fantastik, i 23-ti për të në sezonin e parë që po luan në Itali.
Interi është ngjitur në vendin e dytë me 76 pikë, katër më pak se Juventusit kryesuese, që shpallet zyrtarisht kampion Italie nëse ia del të mposhtë Sampdorian në shtëpi (e diel, 21:45). /abcnews.al
Serie A, java e 36-të
Genoa-Inter 0-3
(Lukaku 34′, 90+3′, Sanchez 83′)