Një ditë pas shpalljes së vendimit të këshillit të ministrave që përcaktoi notën mesatare 7 si dysheme për degët e mësuesisë, ministrja Nikolla zhvilloi një takim informues me maturantët e Fierit ku shpjegoi disa pika të kësaj strategjie të re.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla takimin e parë informues lidhur me vendosjen e mesatares 7 për degët e mësuesisë nga kabineti qeveritar, e nisi me maturatët e Fierit.
“ Nuk mund të rrinim symbyllur, dhe të shikonim se gjithmonë dhe më shumë maturantët më të dobët zgjidhnin profilet e mësuesisë, e më pas atje në universitete problematikat e veta e për të injektuar pastaj në sistem mësues të dobët që mezi merrnin provimet e shtetit, e me radhë. Jemi duke adresuar, kemi bërë një plan të detajuar, kemi bërë prognozat e para se sa do të jetë masa e ndikimit për shkak të futjes së notës mesatare 7, në mënyrë që të mos cënojmë as maturantët por as universitetet me një notë 7 e cila do të ulte në mënyrë drastike numrin e tyre”.
Ministrja njoftoi ekzistencën e bursave që do të ofrojë dikasteri i saj për maturantët me notë mesatare mbi 9 që zgjedhin një nga degët e mësuesisë.
“Por ne do të bëjmë edhe diçka tjetër, që lidhet me bërjen e profesionit të mësuesit, profesion të kërkuar. Duke mundësuar në fakultetet e edukimit një histori të re të formimit të tyre. Duke bërë një proces rekrutimi të bazuar vetëm mbi meritë dhe proces transparent dhe sigurisht një proces kualifikimi kah nevojave të çdo mësuesi me standardet më të mira që bota ka. Kjo është njëra anë, ana tjetër patjetër që është paga. Ky mandat në arsim ka emrin e mësuesit, për ta rritur deri në 40% deri në fund të mandatit pagën e mësuesit.”
Gjatë këtij takimi maturantët diskutuan me ministren Nikolla edhe për maturën shtetërore dhe kriteret e pranimeve të cilat sipas saj janë konsoliduar dhe bazohet në meritë. /abcnews.al