Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andonin

schedule15:14 - 24 Korrik, 2020

schedule 15:14 - 24 Korrik, 2020

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për Miranda Andonin, gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës e cila u konfirmua në detyrë.

Po ashtu Komisioneri Publik bën me dije se e konsideron të nevojshme që të rihapë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit.

Sipas tij rezulton se hetimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet.

Njoftimi Nga Komisioneri Publik

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 257, datë 12.6.2020, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, nuk gjejnë mbështetje në prova dhe në ligjin e zbatueshëm, si dhe nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues.

Duke çmuar se ky vendim objekt ankimi shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.