I ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, artisti i njohur G-Bani teksa po fliste për një ndër hitet më të suksesshme të tij, rrëfeu një detaj të veçantë. Ai tha se për të sjellë këngën “Të Dua” që u prit mjaft mirë nga publiku, u frymëzua nga një libër i Rudina Xhungës.
“Ekziston një referencë në plazhin e Shëngjinit, por si dialog jam inspiruar nga libri i Rudina Xhungës. Pata dëgjuar një dialog që bëhej për promovimin e librit të Rudinës dhe nga një tregim aty jam inspiruar. Në libër ishin dy protagonistë që shumë lehtë hynë në dialog me njëri-tjetrin dhe nga aty jam inspiruar për ta shkruajtur në këtë format sepse një të tillë nuk kisha përdorur ndonjëherë për të përdorur dialogun si intro.“, tha G-Bani.
Gjithashtu, ai foli edhe për protestën e mbajtur nga artistët kundër vendimit të qeverisë për të mbyllur klubet dhe për të ndaluar muzikën pas orës 20:00. Ai tha se qeveria nuk mund ta ndalojë muzikën dhe se artistët do të bëjnë çdo gjë për ta arritur qëllimin e tyre.
“E bëra për dashurinë që kam për muzikën, për mënyrën se si merren vendimet e njëanshme që merren në këtë vend. Lu lutem jo më vendime të tilla, pyesni palët e interesit, të gjithë përpara se të merrni vendime. Nuk jemi në diktaturë. Jemi në populli që kemi votuar, pak më shumë mirëkuptim dhe dhuna policore nuk do të jetë e pranueshme. Muzika nuk mund të ndalojë për asnjë qeveri, ne do vazhdojmë të këndojmë në çfarëdo lloj mënyre“, tha G-Bani. /abcnews.al/