Bukureshti përçan BE-në…

schedule14:20 - 20 Prill, 2018

schedule 14:20 - 20 Prill, 2018

Rumania synon të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi për në Jeruzalem duke shkaktuar kështu përçarje brenda Bashkimit Europian. Miratimi i këtij vendimi pritet të bëhet nga ministrat e qeverisë së Bukureshtit.

Rumania mund të bëhet vendi i parë i Bashkimit Europian që do të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kryeministrja Viorica Dancila i ka propozuar kabinetit të saj një draft-rezolutë për transferimin, bëjnë të ditur mediat izrealite, aprovimi i së cilës varet tani nga ministrat. Për këtë diplomacia e jashtme e shtetit hebre po pret përditësime zyrtare nga Bukureshti.

Dhjetorin e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe transferimin e ambasadës së SHBA nga Tel Avivi, që parashikohet të ndodhë me 14 Maj, duke shkaktuar zemërimin e palestinezëve dhe botës arabe. Pas Uashingtonit edhe Guatemale dhe Hondurasi vendosën zhvendosjen e selisë diplomatike në Jeruzalem. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka konfirmuar shpeshherë se pret dhe që vende të tjera të ndjekin këtë shembull.

Nga ana e saj, BE është distancuar nga vendimi i Trump, duke ritheksuar se do të ndjekë vetëm zgjidhjen me “dy shtete” dhe e shikon Jeruzalemin si kryeqytet të përbahskët. Por menjëherë pas kësaj u shfaqën përçarje brenda unionit, duke filluar nga Bukureshti. Rumania në fakt është një nga 35 vendet që abstenuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në votimin për rezolutën që dënonte vendimin e SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit./abcnews.al