Armando Sadiku mbyll aventurën me Malaga në Segunda Division dhe tani do të rikthehet te Levante, klub me të cilin ka edhe një vit kontratë. Sulmuesi ishte i huazuar këtë sezon dhe ia doli të shënonte 13 gola, ndaj edhe ka oferta. Kohët e fundit është lakuar klubi grek i Aris Selanik, që në fakt duhet t’i bëjë llogaritë mirë për shkak të pagës së lartë të sulmuesit.
Gjithsesi Sadiku për momentin mendon të pushojë dhe t’i falënderojë të gjithë te Malaga. “Dje kemi përfunduar një sezon të vështirë, por të bukur. Realizuam objektivin final dhe vuajtëm për ta arritur atë. Malaga do të vazhdojë edhe një vit luftën në ligën e dytë, për t’u rikthyer atë ky e meriton ky klub, në La Liga.
Dua të falënderoj tifozët tanë që na kanë brohoritur dhe na kanë ndihmuar të shpëtojmë prej rënies nga kategoria. Që ditën e parë që shkova në ‘La Roselada’ kam ndjerë një ndjenjë të veçantë.
Falënderoj gjithashtu shokët e skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar të shënoj 13 gola dhe që të jem i lumtur duke luajtur pas muajve të vështirë. Falënderoj të gjithë njerëzit në klub, të cilët më kanë mbështetur që ditën e parë që kam mbërritur. Tani është koha për të pushuar dhe për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm”, shkruan Sadiku në llogarinë e tij në “Instagram”. /abcnews.al
https://www.instagram.com/p/CC5mXKbsAjl/?utm_source=ig_web_copy_link