Real Madrid e mbylli kampionatin me një barazim 2-2 në fushën e Leganes, rezultatet që rrëzoi në Segunda Division ekipin vendas. Trajneri i “Los Blancos” foli pas ndeshjes, duke vlerësuar sezonin e djemve të tij, të cilët arritën të fitonin titullin në Spanjë.
Skuadra do të bëjë disa ditë pushim dhe më pas do të nisin përgatitjet për sfidën e kthimit të raundit të 1/8 në Champions League kundër Manchester City (7 gusht), me ekipin e Pep Guardiolës që ka fituar 1-2 duelin e luajtur në “Santiago Bernabeu”.
“Mund të them që ky sezon ka qenë spektakolar. Nuk fituam kundër Leganes, por rëndësi ka nuk e humbëm këtë ndeshje, nuk doja ta mbyllja kampionatin me një humbje.
Tani është momenti të pushojmë disi dhe të fokusohemi te Champions League më pas. Jovic? Është një lojtar i ri dhe i talentuar. Ka pësuar disa dëmtime këtë sezon dhe ka nevojë për mbështetje.
Dua të falënderoj të gjithë lojtarët për punën që kanë bërë, janë treguar të jashtëzakonshëm. Tani le të shijojnë 4-5 ditë pushime dhe më pas do të vijojmë përgatitjet për duelin kundër Manchester City.
Shpresoj të rikuperoj ndonjë lojtarë të dëmtuar, uroj që ta kem Hazard në formë për këtë sfidë. Ndoshta do ta kemi në formë për ndeshjen e Champions League“, deklaron trajneri francez. /abcnews.al