Real Madrid fitoi La Liga këtë sezon dhe tani është fokusuar te ndeshja e kthimit të raundit të 1/8 në Champions League kundër Manchester City. Ekipi i Guardiolës ka fituar 1-2 ndeshjen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” dhe “Los Blancos” do të japin gjithçka për ta përmbysur këtë rezultat, në duelin e 7 gushtit.
E ardhmja e Zinedine Zidane në stolin e Realit është një temë që ka krijuar paqartësi në klubin spanjoll. “Të shohim se çfarë do të ndodhë në Champions League dhe më pas do të ulemi e të analizojmë gjithçka për sezonin e ardhshëm. Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë në futboll.
Kam një kontratë deri në vitin 2022 me Realin, jam shumë i qetë, por gjërat në futboll ndryshojnë nga dita në ditë. Po zbavitem këtu dhe nuk e di edhe për sa kohë do të vazhdoj“, u shpreh ditën e djeshme trajneri francez.
Sot ka ardhur edhe reagimi i Florentino Perez. Në një prononcim për El Chiringuito, presidenti i Realit ka folur rreth situatës së trajnerit të tij. “Ndoshta mund të largohet pasi të përfundojë Champions League.
Mund të ndodhë diçka e tillë, pasi njerëzit lodhen dhe kanë nevojë të pushojnë. Gjithsesi, nuk ka asnjë shkak për momentin që Zizou të largohet, unë nuk e shoh aspak të lodhur“, deklaron kreu i klubit madrilen. /abcnews.al