Juventusi do një sulmues dhe emrat që po lakohen gjatë kësaj periudhe janë të shumtë. Dje në fokus ishte Alexandre Lacazette, i Arsenal, ndërkohë që mbeten në skenë emra si Arkadiusz Milik, Edin Dzeko dhe Raul Jimenez.
Tashmë vëmendjen e ka marrë Duvan Zapata, goleadori i skuadrës së Atalanta. Sulmuesi 29-vjeçar ka treguar vlerat e tij në Serie A edhe këtë sezon, duke shënuar 17 gola në 24 ndeshje.
Corriere dello Sport raporton se bisedimet për transferimin e sulmuesit kanë nisur, madje zbulojnë edhe ofertën e bërë për shërbimet e tij. Fabio Paratici, drejtori sportiv i Juventusit, u ka bërë propozimin e tij drejtuesve të klubit nga Bergamo dhe veç parave, ofrohet edhe një lojtar.
Juventusi ka gati 30 milion euro, që shkojnë drejtpërdrejt në arkat e Atalantës. Gjithashtu pjesë e këtij operacioni mendohet të bëhet edhe portieri Mattia Perin. Këtij të fundit i përfundon kontrata e huazimit te Genoa dhe te bardhezinjtë nuk ka hapësira për të, ndaj kalimi përfundimtar te Atalanta do të ishte lëvizja më e mirë për të gjithë. /abcnews.al