Anthony Fauci, eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e rasteve në SHBA.
Duke folur gjatë një takimi të organizuar në formën e një telekonference nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Fauci tha se situata paraqitet e vështirë, sidomos në jug të vendit.
Virologu tha se ka ardhur koha që të shihet me sy ajo që po ndodh ndërsa shtoi se masat mund të duhet që të intensifikohen me qëllim frenimin e koronavirusit.
Po ashtu, Fauci paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të përballen me “100 mijë raste në ditë nëse nuk përqafojnë më agresivitet masat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe masa të tjera”.
Sipas tij, vendosja e maskave është tejet e rëndësishme për rihapjen sërish të vendit ndërsa shtoi se të gjithë duhet t’i mbajnë kur ndodhen në vende publike apo të mbyllura.
Deri më tani SHBA, vendi më i prekur në botë nga pandemia, numëron rreth 3.8 të infektuar dhe 142,431 viktima. /abcnews.al/