Florentino Perez, presidenti i Real Madrid, u shfaq i lumtur pas triumfit në kampionat. Klubi që financon festoi titullin e 34-t dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për të arritur deri këtu. Ai përgëzoi të gjithë futbollistët e tij dhe në veçanti trajnerin Zinedine Zidane.
“Zidane fiton një trofe në çdo 19 ndeshje. Ta kesh atë në stol është një bekim nga parajsa dhe do të jetë me ne për një kohë të gjatë. Le të vazhdojnë me kritikat ndaj tij, ne do vazhdojmë të fitojmë trofe”, tha mes të tjerash Perez, i cili më pas flet edhe për të ardhmen e kapitenit të skuadrës.
“Sergio Ramos do ta mbyllë karrierën në Madrid. Jam i qetë për këtë. Ai është më shumë se një kapiten në skuadër dhe pa asnjë diskutim është një lider i jashtëzakonshëm”, shtoi presidenti i Real Madrid.
Më pas ai paralajmëroi se nuk do të ketë goditje të mëdha këtë verë dhe arsyeja ka të bëjë me financat: “Nuk do të ketë asnjë afrim të madh. Mbappe? Mund të presë. Unë nuk mund t’u kërkoj futbollistëve ulje pagash dhe pastaj të bëj një afrim të madh në ekip”. /abcnews.al