“Vodhi shokun, bën çdo të ligë”, sherr mes Tares dhe zv.ministrit për dosjen e sigurimit

schedule10:24 - 17 Korrik, 2020

schedule 10:24 - 17 Korrik, 2020

Nxjerrja e dosjes së sigurimit për Auron nga Ardian Ndreca ka rikthyer debatin në lidhje me çfarë ka shkruar ai mbi Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.

Në dosjen e publikuar nga Ndreca thuhej se Auron Tare kishte sjellë revista pornografike në shkollë, se i kishte vjedhur një shoku 100 lekë dhe se ishte karakter që mund të bëntë çdo të ligë.

Në një postim në Facebook, Tare shkroi mbrëmë se i konfirmonte çfarë shkruhej në dosjen e sigurimit të shtetit për të duke theksuar se “shokut nuk i kishte vjedhur 100 lekë, por se i kishte marrë me forcë 50 lekë që ia kishte fituar në bixhoz dhe se revista nuk ishte pornografike, por se kishte balerina”.

Lexo edhe: Vodhi shokun, mund të bëjë çdo të ligë: Auron Tare reagon pasi i nxorën dosjen e sigurimit

Mirëpo, kjo ka nxitur reagimin e Artan Shkrelit, i cili i ka kujtuar Tares se kështu ndodh kur i heq shënimet e sigurimit nga konteksti duke theksuar se kështu kishte vepruar edhe ai me Camajn dhe Koliqin.

Në debatin që vijon gjatë në Facebook, Tare sulmon ndërkohë Ndrecën duke i thënë se kishte lidhje me sigurimin e shtetit prandaj edhe ka siguruar dosjen e tij.

Publikimi i dosjes së sigurimit për Taren nga Ndreca siç bëri ai për Camajn dhe Koliqin u bë me idenë se gjithkush mund të kishte një dosje në sigurimin e shtetit, por se ato duheshin lexuar në kontekst dhe jo të nxirreshin prej tij duke arritur në përfundime të pabaza. /abcnews.al