Ka përfunduar në Bruksel takimi midis Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pas takimit, lideri serb është shprehur se pala shqiptare u kërkoi të hapnin arkivat e policisë, ndërsa këta u kërkuan që të hapnin arkivat e UҪK-së.
“Shqiptarët na kërkuan të hapnim arkivat e policisë, dhe si kthim i kërkuam që të hapnin arkivat e UҪK-së. Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik” tha ai.
LEXO EDHE: Hoti flet pas takimit me Vuçiç në Bruksel: Kemi bërë progres
Siç tha ai, pala tjetër e kuptoi temën e ekonomisë si një çështje të kompensimit të luftës, të cilën Beogradi e refuzoi, dhe interesi është që të bëhen sa më shumë marrëveshje për bashkëpunim në ekonomi. Sigurisht, ai thotë se do të jetë e vështirë, sepse “ne nuk po negociojmë vetëm me shqiptarët, por edhe me BE dhe vendet më të fuqishme evropiane”.
Delegacioni i Prishtinës u drejtua nga kryeministri Avdullah Hoti, i cili për herë të parë është në rolin e kryenegociatorit në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nga pala shqiptare. /abcnews.al