Vrasja e 35-vjeçarit në Gjirokastër, arrestohet autori i dyshuar, në pranga edhe 3 të tjerë

schedule08:25 - 16 Korrik, 2020

schedule 08:25 - 16 Korrik, 2020

Një 35-vjeçar është vrarë në Gjirokastër në rrethana misterioze.

Viktima i identifikuar si Gjergji Alliasi është goditur me sende të forta e për pasojë ka humbur jetën  rrugës për në Spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër.

Policia e Gjirokastrës ka njoftuar këtë mëngjes se është arrestuar autori i dyshuar për vrasjen e 35 vjeçarit.

Ai është Paris Xhihani 23 vjeç.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes të dyve ndërsa  janë arrestuar gjithashtu edhe 3 të tjerë nën akuzën e “moskallëzimit të krimit”.

LEXO edhe: Vritet me sende të forta një 35-vjeçar në Gjirokastër

Njoftimi:

Gjirokastër

Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 15.07.2020, në lagjen “Zinxhira”, ku humbi jetën 35-vjeçari Gj. A.

Kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari, autori i ngjarjes.

Arrestohet dhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi, si dhe procedohen në gjendje të lirë dy të tjerë.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër, ku pas një konflikti të çastit mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi Gj. A., 35 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Xh., 23 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin Gj. A., duke i shkaktuar vdekjen.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 18 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit N. Xh., 16 vjeç dhe V. M., 14 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira” , për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!