Ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë mbërritur në qytetin Douma të Sirisë. Ata do të hetojnë lidhur me dyshimet se aty është kryer ose jo ndonjë sulm kimik. Ndërkohë, për këtë çështje Merkel dhe Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Armët Kimike, që duhet të vlerësojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht në Douma me 7 prill, kanë mbërritur në qytetin sirian të Gutës Lindore, që gjendet në hyrje të Damaskut. Kjo është bërë e ditur nga agjencia zyrtare siriane e lajmeve. Ndërsa televizioni shtetëror konfirmon se ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë hyrë në qytet të shoqëruar nga policia siriane. Kjo është vizita e tyre e parë në vendin ku dyshohet se është kryer një sulm me armë kimike.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet ishin rritur ndjeshëm mes perëndimit dhe Rusisë. Pikërisht për këtë kancelarja gjermane, Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin. Dy liderët kanë biseduar gjerësisht për Sirinë ku është nënvizuar “rëndësia e hetimeve të thelluara dhe të paanshme” nga ana e misionit të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike që do të verifikojë nëse në Douma është kryer një sulm me armë kimike nga ana e regjimit të Bashar al-Assad.
Teknikët e organizatës së OKB-së mbërritën të shtunën në Siri, por ata nuk patën qasje të menjëhershme në vendngjarje. Kremlini kishte penguar hetimin e tyre duke thënë se bëhet fjalë për një çështje sigurie, thënë ndryshe dyshimet se në atë zonë mund të ketë mina. Ndërsa sipas Parisit, dërgimi i tyre ishte i domosdoshëm “para se të zhduken dëshmitë” e sulmit të supozuar të armëve kimike në bastionin rebel.
Ndërkohë, me prill në Duma të Gutës Lindore u raportua se rreth 100 persona humbën jetën për shkak të një sulmi kimik nga regjimi i Assad. Por këto akuza nuk janë pranuar nga Rusia dhe Siri që thonë se është një fabrikim i Perëndimit për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake. Për akuzat në fjalë SHBA, BRitania dhe Franca bombarduan disa magazine të Assad me armë kimike. /abcnews.al