Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve ka miratuar me konsensus të plotë, shumicë-opozitë parlamentare ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutën e Shqipërisë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Politologu Ermal Hasimja në një intervistë në “ABC-ja e mëngjesit” u shpreh se këto vendime sa i përket mazhorancës tregojnë një lloj kokëfortësie ndaj opozitës.
Sa i përket opozitës politologu u shpreh se situata është më e pakëndshme për faktin sepse kjo ishte një nga marrëveshjet e shumta që u realizua, por që në fund sipas tij u shkel.
Sakaq ai shtoi se Shqipëria vijon të ketë probleme për shkak të vendimeve që merren nga politikanët, ndërsa shtoi se kjo situatë do të zgjidhej nëse qytetarët do të ndëshkonin me votë politikanët në Shqipëri.
“Çdo sistem zgjedhor ka kufizimet e veta. Problemi qëndron në faktin se kufizimi i koalicione është shumë i rëndësishëm dhe ndodh shumë rrallë në botë. Ky vendim vjen pas rënies në ujdi për një formulë të caktuar, ndaj edhe është vështirësish i pranueshëm. Pra problemi është tek shkelja e marrëveshjes që u arrit. Kjo minon zgjedhjet , nëse do të kishte pasur një konsensus të përgjithshëm për një ndryshim të sistemit të miratuar nga të gjitha palët, mund të pranohej. Në rastin konkret kjo minon edhe besimin në rastin e një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen”, u shpreh politologu.
Lexo edhe: Kërcënon zyrtari i lartë i CDU: Tërhiquni nga ndryshimet kushtetuese, ndryshe s’ka negociata
Sa i përket qëndrimit të nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag Johann Wadephul, politologu u shpreh se ky qëndrim nuk shihet si një problem nga kryeministri dhe mazhoranca pasi sipas tij edhe në të kaluarën ka pasur konflikte, por që më pas janë anashkaluar me marrëveshjet e radhës.
“Një mandat i tretë i PS nëse do të merrej nuk do të kishte shumë shpresa për një mandat të katërt. Po ashtu edhe mandati i tretë do të ishte i çuditshëm nëse do të merrej duke pasur parasysh situatën e vendit. Në këtë situatë ndoshta kryeministri dhe mazhoranca në përgjithësi nuk mendojnë se i prish shumë punë konflikti me ndërkombëtarët, edhe pse kanë ndodhur në të kaluarën që ndoshta janë harruar me marrëveshje që të radhës”, tha Hasimja.
Sakaq ai shtoi se pasojat e vendimeve politike që merren nga politikanët shqiptarë ndikojnë negativisht për qytetarët shqiptarë.
“Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë. Pra merren vendime që i pasojat i paguajnë qytetarët shqiptarë. Problemi do të zgjidhej nëse njerëzit me votë do të ndëshkonin politikanët në Shqipëri”, u shpreh ai.

