Mbreti i derbit, Cordeiro: Partizani-Tirana si “Fla-Flu”, ju tregoj ç’bëjnë shqiptarët

schedule09:15 - 13 Korrik, 2020

schedule 09:15 - 13 Korrik, 2020

“Mbreti i derbit! William Cordeiro shënon për të tretën herë brenda sezonit në duelin kryesor të Shqipërisë”. Jehona e Partizani-Tirana ka dalë jashtë vendit tonë dhe madje ka kaluar edhe oqeane, për t’u trumbetuar në Brazil nga anësori, i cili ka provuar të luajë në çdo rol në Superiore.

Erdhi si mbrojtës i djathtë te Kukësi dhe u pa të luante më shumë si sulmues i majtë. Pesë gola në sezonin e parë me verilindorët, një më shumë këtë kampionat me Partizanin. Më së shumti ka luajtur në treshen e mesfushës dhe Cordeiro është një nga lëvizjet e mira të “demave” në merkato.

“Partizani-Tirana është ekuivalent i derbit Flamengo-Fluminense këtu në Shqipëri. Kur del kalendari i kampionatit, njerëzit direkt interesohen për datat e këtyre ndeshjeve. Një fitore në derbi vlen më shumë se tre pikë”, thotë fillimisht braziliani, i cili shënoi sërish në derbi, por Partizani nuk fitoi dot.

“Jam shumë i lumtur që lashë sërish shenjë në derbi, por gëzimi nuk është shumë i madh për shkak se pësuam gol në fund dhe na iku nga duart rezultati pozitiv”, shton Cordeiro. Më tej ai flet edhe për objektivin Europë dhe braziliani mendon se mund ta arrijnë.

“Jemi vetëm katër pikë larg vendit të tretë, një pozicion që të çon në kupat e Europës. Kanë mbetur edhe tre javë kampionat dhe besoj se jemi kushtet ku mund të luftojmë për një vend që të garanton ndeshjet në Europa League”, përfundon Cordeiro për “reporteres em acao”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!