Zgjedhjet e KOKSH, bllokim arbitrar! Po shkelet rezoluta e 9 shkurtit

schedule18:44 - 11 Korrik, 2020

schedule 18:44 - 11 Korrik, 2020

KOKSH po bllokon në mënyrë të qëllimshme zgjedhjet për organet e reja drejtuese, një obligim absolut i një rezolute të asamblesë së jashtëzakonshme të datës 9 shkurt, propozuar nga ndërkombëtaret e CIO-s dhe miratuar nga vetë anëtarët. Pak ditë më parë në studion e Pressing, presidenti Bezhani u angazhua që do të zgjidhen organet e reja deri në fund të dhjetorit, në një kohë që lëvizje nuk ka akoma.

Në Komitetin Teknik për ndryshimet në statutin e ri si një pikë e panegociueshme e rezolutës së Asamblesë ishte edhe prezenca e përfaqësuesve të MARS, por deri tani ka një heshtje të plotë. Një abandonim të plotë për të respektuar këtë draft që do të çonte KOKSH në zgjedhjet e reja.

Ky Komitet do të përbehet edhe nga një përfaqësues ministror, por këta të fundit e kanë nisur plazhin para pandemisë. Mungon forca pedante institucionale që të ushtrojë autoritetin-shtet në zbatimin e kësaj rezolute që po mban zgjedhjet të bllokuara, duke qenë se nuk është krijuar ende grupi i punës, pra komiteti përkatës.

Nga ana tjetër, tashmë vetëm volejbolli e boksi kanë respektuar afatet olimpike post-pandemike për zgjedhjet e reja në organet drejtuese. Pjesa tjetër nuk lëviz, për sa kohë shteti nuk ushtron kurrkund veton e tij për të respektuar nenin themeltar, atë të zgjedhjeve. Të gjithë kanë nisur plazhin, dhe prej plazhit përdorin mirë whatsappin e direktivave.

Komiteti Ekzekutiv ende nuk ka thërritur një tjetër mbledhje për hapin e parë të rezolutës, atë të ngritjes së Komitetit Teknik, për të kaluar në asamblenë statuore, e më pas atë zgjedhore. Me një ritëm të tillë këta nuk duan të çojnë në zgjedhje KOKSH, deri në përfundim të lojërave olimpike vitin e ardhshëm.

President Bezhani e premtoi publikisht që rezoluta e nënshkruar në 9 shkurt në Asamblenë e Jashtëzakonshme në Hotel “Tirana” do të respektohet maksimalisht, pra që brenda dhjetorit 2020 do të bëhen zgjedhje.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit e cila duhet të jetë prezente në këtë Komitet nuk shfaq interesin më minimal të mundshëm, qoftë edhe kërkues, jo imponues për zbatimin e hapave të Rezolutës, paçka se vetë nuk ishte në atë mbledhje.

KOKSH, edhe pse duket të ketë lënë pas baltën, sërish mbetet një moçal i vërtetë offline, që ka hyrë në një pit-stop koshient për të frenuar zgjedhjet. Këtë radhë edhe me suportin e ministrisë, e cila është në periudhën ekzotike të të studiuarit të ligjeve nga bregu i dytë… /abcnews.al