Balli Kombëtar ka dalë pro Marrëveshjes së 5 qershorit. Lajmin e ka dhënë sot para mediave, Artur Roshi. Kryetari i partisë është shprehur se do të jenë pro marrëveshjes si parti, jo se morën atë që deshën, por sepse nuk duan që të pengojnë integrimin e Shqipërisë.
Ndër të tjera, Roshi u shpreh:
“Duke parë situatën politike parazgjedhore, gjykojmë se Marrëveshja e dy partive, PS-PD, është një Marrëveshje që në sfond ka një ngurtësi që nga eksperienca që kemi mund të shërbejë si burim konflikti për shqiptarët. Marrëveshja është e përshëndetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe nga gjermanët…Nuk është se mbron interesat e partive të vogla..Do te jemi pro kësaj marrëveshje. Jo se morëm atë që deshëm, për të mos thënë që nuk është ajo që kam predikuar para publikut…”
Po ashtu, para mediave folën edhe Fatjona Dhimitri e Besnik Troplini të cilët deklaruan votuan pro miratimit pa ndryshime të Marrëveshjes së 5 Qershorit në Këshillin Politik.
Dhimitri gjatë fjalës së saj, u shpreh:
“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë theksoj se çështja e sistemit zgjedhor po keqpërdoret nga Edi Rama për të arritur objektivat e veta politike. Unë nuk mund të mbështes kurrë një propozim që heq koalicionet parazgjedhore dhe ndihmon Edi Ramën. Unë nuk jam në Kuvend për të bërë lojërat e Edi Ramës. Unë nuk jam në Kuvend për të mbështetur Edi Ramën. Unë jam në opozitë me Edi Ramën. Unë besoj tek Europa dhe nuk mund të pengojë procesin e integrimit europian të vendit.
Një marrëveshje e ndërmjetësuar dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtar nuk mund të mbahet peng nga Kuvendi. Konsensusi i arritur më 5 Qershor 2020 mes forcave kryesore politike në vend, është i vetmi kusht i plotësuar në procesin e hapjes së negociatave.Nuk do të ndërmerrja kurrë veprime që do të dëmtonin këtë arritje. Prandaj deklaroj se si deputete e Kuvendit të Shqipërisë do të votoj PRO ndryshime venë Kodin Zgjedhor, që kanë dakordësuar palët më 5 Qershor. Si deputete jam e ndërgjegjshme se veprimi im i shërben stabilitetit të vendit, i shërben rrugës europiane të Shqipërisë. Prandaj thirrja ime është e qartë: Dakordësia e 5 Qershorit të përfshihet në Rend Dite dhe të miratohet sa më parë, pa asnjë ndryshim. Konfirmoj votën time PRO.”
Tashmë mbesin edhe katër vota të tjera për miratimin e Marrëveshjes. /abcnews.al/