Komisioni i Etikës u mblodh ditën e sotme për ndeshjen Bylisi-Tirana, që dyshohet për trukim, Përfaqësues të klubit ballshiot ishin të pranishëm, me presidentin Besnik Kapllanaj në krye. Së bashku me të ishin edhe trajneri Veljko Dovedan dhe mbrojtësi Jurgen Goxha.
Nga Tirana nuk kishte përfaqësues dhe kreu i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, sqaroi se ata i kishin dërguar email bardhebluve, por justifikimi i tyre ka qenë se përdorin një tjetër dhe nuk e kanë marrë njoftimin. Kështu, Tirana do të japë versionin e vet para këtij komisioni ditën e martë.
BESNIK KAPLLANAJ – Pasi ka thënë fjalën e tij për Komisionin e Etikës, kreu i klubit ballshiot ka folur edhe për mediat e pranishme. ““Nuk mendoj se kishim ndonjë gjë për tu mbrojtur. U pyetëm dhe dhamë shpjegimin tonë. Shpjegimi ishte atje dhe mund ti merrni atje”, tha mes të tjerash Kapllanaj.
Refik Halili, pas ndeshjes pat deklaruar se n tribunën e stadiumit kishte persona që nuk i kishte parë ndonjëherë. Kapllanaj, për këtë pjesë shtoi: “Gjithmonë kemi nga 10 persona në tribunë në për çdo ndeshje të Bylisit. Pastaj se cilët persona vijnë me Tiranën dhe e duan apo jo këtë skuadër, duhet ti zgjidhin ata. Ne jemi të pastër, të hapur, jo vetëm sot, por gjithmonë. Nga fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk mund të baltosemi, pasi kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe nuk duhet të hidhet baltë mbi ne”.
Disa ditë më parë, Suad Lici e akuzoi Kapllanajn për ndërhyrje te arbitrat. Presidenti i Bylisit deklaron: “Është me dy fytyra, pasi para ndeshjes atë ditë më ftoi për drekë. Më pas, kur kishte një debat në studio, kishte thënë gjëra të turpshme në drejtimin tim. Shyqyr që nuk tha që e vendosa unë bombën. Ai të shikojë punën e tij, Bylisi ka lënë 9 pikë me Flamurtarin, ato që ata i morën. Kemi luajtur futboll dhe do e bëjmë deri në fund”.
Në lidhje me ndeshjen me Tiranën, Kapllanaj shprehet: “Bylisi nuk është Reali Madridit dhe mund ta kontrollojë një ndeshje si të dojë. Kemi vetëm një ëndërr, fitimin e Kupës. Mendoj se do e arrijmë. Ju e dini shumë mirë që kam luftuar shumë për këtë skuadër. Me Tiranën kemi fituar me meritë dhe do shkojmë në finale po me meritë. Unë jam presidenti dhe mbaj përgjegjësi për klubin dhe e di se çfarë ndodh këtu.
Ne kemi qenë dinjitoz në fushë dhe në sjellje. Mjafton të shikoni Goxhajn që e dënuam. Njëjtë kemi vepruar edhe me të tjerë, ku është thyere rregullorja e klubit. Në vitet e ardhshme do jemi shumë kompetentë. Nuk kam çfarë të flas, për ato që janë thënë, jemi të pastër për gjithçka. Do jemi një ekip model”.
“Nuk merrem me ekipin tjetër. Me Kukësin kemi bërë një ndeshje katastrofë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë e mbyllëm Kukësin në zonën e tyre. Rastet e humbura me Tiranën janë të pafalshme. Jam shumë i dëshpëruar që nuk e fituam ndeshjen me Tiranan 4-0 ose 5-0, pasi i dominuam dhe ta kishim të sigurt kualifikimin”. /abcnews.al