Në kufirin mes Gazës dhe Izraelit trazirat kanë vazhduar edhe gjatë së premtes. Mbi 500 palestinezë kanë mbetur të plagosur në përballjen me ushtarët izraelitë, të cilët zotohen të mbrojnë kufirin.
Mbi 500 persona kanë mbetur të plagosur të premten në Gaza, ku palestinezët janë përpjekur sërish të dëmtojnë kufirin që e ndan atë me Izraelin. Manifestimet, përmes të cilave palestinezët kërkojnë kthimin në tokat e pushtuara nga Izraeli, kanë hyrë në javën e tretë.
Autoritetet lokale kanë deklaruar se shumica e njerëzve janë lënduar nga armët e zjarrit dhe gazi lotësjellës i përdorur nga trupat izraelite. Gjithashtu, një stacion mjekësor në Khan Junis është sulmuar me gaz teksa priste të lënduarit dhe 10 anëtarë të personelit mjekësor kanë marrë trajtime. Nga ana e saj ushtria izraelite ka deklaruar se ka vepruar në bazë të të gjitha rregullave.
Ministria e Mbrojtjes së shtetit hebre ka nënvizuar se nuk do të lejojë në asnjë rrethanë dëmtimin e strukturës kufitare dhe ka paralajmëruar se të gjithë ata që do të përpiqen ta bëjnë këtë do të qëllohen. Në tërësi janë 34 palestinezët e vrarë në aktet e dhunës që shpërthyen në Gaza që prej 30 Marsit./abcnews.al