Futbolli shqiptar ka probleme besueshmërie. Ish-trajneri i njohur, Farruk Sejdini, flet për fundin e sezonit në Superligë dhe për dënimin e Skënderbeut
Një kampionat që humb besimin. E tillë mund të quhet Superliga e Shqipërisë, të paktën për luftën për mbijetesë, në fundin e tabelës, si dhe për dyshimet për lëshime të ndeshjeve.
Kamza, dikur pretendente për Europë, tani është thuajse e piketuar për të zbritur nga kategoria, ndaj dhe ish-trajneri i njohur, Farruk Sejdini, ngre një alarm.
Farruk Sejdini: “Për Kamzën më vjen keq, jo se Teuta i ka dhënë tonin futbolkuit shqiptar, apo Vllaznia, sepse kishin një ecuri të mirë dhe dukeshin si surpriza e kampionatit. Nuk e heq edhe dyshimin që diçka i kanë hyrë në hak. Ndoshta kërkojnë ta bëjnë kokë turku, por nuk është e mirë se aty ka 70-80 mijë banorë. Kamza është një qytet i madh. Nuk më duket që është e drejtë.”
Gjithsesi, Sejdini nuk e sheh thjesht si problem të një ekipi apo të një sezoni.
Farruk Sejdini: “Të jem realist, unë do të thosha që ka qenë, do të thosha që kjo ndodhta është një plagë europiane. Ne kemi pas një plagë dyfishe se përpos lekëve ne kemi pas probleme dhe nga politika. Këto gjëra bëheshin o për lekë o për politikë ”.
Edhe UEFA e dha dënimin për Skënderbeun pikërisht duke e akuzuar për trukime. Si e gjykon Sejdini këtë dënim?
Farruk Sejdini: “Në rast se kjo do të ndodhë dhe ka shumë gjasa që të ndodhë . Edhe po mos të jenë 10 vjet do të jenë diçka më poshtë, po them 7 apo 5, prapë do të jetë një humbje e madhe për futbollin shqiptar nëse do të jenë të vërteta gjithmonë. Kjo ndoshta të vlejë si mësim edhe për ekipet shqiptare”.
Sejdini pret edhe një çështje të fundit, ankesat ndaj gjyqtarëve që edhe këtë sezon kanë qenë të shumta.
Farruk Sejdini: “Gangrenë e futbollit shqiptar kanë qenë gjithmonë gjyqtarët. Nëse thamë më parë që politika influencon, influencon puna e parë te gjyëqtarët. Ai është që e ka shkopin magjik dhe e kthen nga një krah në krahun tjetër. Edhe lojtarët kanë humbur besimin dhe çdo gjë e shohin me syrin e dyshimit. Instancat në Federatën Shqiptare të Futbollit duhet të jenë shumë rigoroze”./abcnews.al


