Skënderbeu fiton gjyqin e parë sportiv në Zvicër. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv i kthen titullin e vitit 2016, hequr nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Reagimet dhe dyshimet.
Kjo festë mbetet zyrtare.
Kremtimi në maj të 2016-ës rikthehet sërish në fuqi, ashtu siç rikthehet titulli kampion i atij viti, me vendim të formës së prerë të KAS-it në Lozanë.
Skënderbeu fitoi gjyqin e parë të këtij viti, pas ankimimit të bërë për heqjen e Superligës nga ana e Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Asnjë apelim nuk mund të bëhet, ndaj edhe festa në Korçë nuk pa pse të ndërpritet.
Klubi i Skënderbeut reagoi shpejt, por shkurt.
“Fitore, – shkruhej në faqen zyrtare në FB, – KAS ka pranuar kërkesën për të kthyer titullin e sezonit 2015-2016 të hequr nga Komisioni i Etikës! Të duam Skënderbe!”
Mbrojtësi Tefik Osmani ka gjetur një tjetër mënyrë për të festuar, duke postuar një foto të vetën me djalin në krah, dhe I biri sikur I thotë: Babi zgjohu, nuk të kam sjellë bukë lepurushi, por titullin 2015-2016”.
Presidenti Takaj u shpreh për mediat se “fitorja e titullit u arrit me gjak, si mund ta falnim”.
A pritej një vendim i tillë i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në Zvicër?
Për Skënderbeun nuk ka dyshim që po, ndërsa nga Federata besohet se pritej të mbetej në fuqi vendimi, kjo të paktën sepse Komisioni i Etikës është pjesë e saj.
Gjithsesi, burime pranë Federatës, bëjnë me dijë se mënyra e përpilimit të vendimit nga Etika ishte e tillë që dënimi të rrëzohej në KAS.
Skënderbeu tashmë shpreson të fitojë gjyqin e dytë në KAS, atë më të rëndësishmin, për dënimin e dhënë nga UEFA.
Korçarët do të apelojnë përjashtimin 10-vjeçar nga kupat e Europës dhe gjobën prej 1 milionë eurosh, ndërsa janë shprehur optimistë se do të dalin të pafajshëm.
Gjithsesi, në ndryshim nga gjyqi i parë, këtë herë dënimi është përpiluar nga vetë UEFA.
/abcnews.al