Bisedimet Athinë-Shkup/ Dimitrov: Diskutuam korniza ligjore

schedule14:05 - 12 Prill, 2018

schedule 14:05 - 12 Prill, 2018

Është cilësuar shumë pozitiv, takimi në Ohër mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë dhe atij të Greqisë. Dimitrov njoftoi se për herë të parë është diskutuar për korniza ligjore sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit. Ndërsa Kotzias tha se palët do të takohen përsëri në Maj.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias gjatë vizitës së tij në Maqedoni, është takuar me homologun Nikolla Dimitrov. Gjatë bisedimeve në Ohër që zgjatën mbi 3 orë, ata diskutuan rreth përafrimeve të qëndrimeve lidhur me zgjidhjen e kontestit për emrin. Pavarësisht se kanë mbetur edhe pak çështje për tu zgjidhur, një marrëveshje përfundimtare ende nuk është arritur.

Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë: “Biseduam për të gjitha çështjet që ndërlidhen me çështjen e emrit. Për një pjesë të atyre çështjeve ka përparim, për një pjesë tjetër ka ende dallime. Biseduam për herë të parë korniza ligjore dhe për hapat e mëtejshëm në rast se arrihet zgjidhja, si do të duket ajo dhe si do të implementohet. Ky ishte një dialog me shumë mirëkuptim për nevojat e tjetrit”.

Ndërsa më tej shefi i diplomacisë së Shkupit tha se grupet e punës, “kanë punuar në tekst për mënjanimin e ekstremizimit nga të dyja palët dhe në paragrafët e preambulës së marrëveshjes së ardhshme”. Kurse Kotzias, duke përmendur zhvillimet positive të këtij takimi, bëri me dije se disa raunde të tjera të negociatave për emrin do të mbahen në muajin maj.

Nikos Kotzias, Ministër i Jashtëm i Greqisë: “Do të takohemi përsëri me siguri 3-4 maj në Selanik gjithashtu do të takohemi më 11-12 maj ku do të flasim për të ardhmen e Evropës. Siç e shikoni sa më shumë që njihemi mbesin më pak probleme për të zgjidhur, por janë më të vështirët. Sot bëmë një hap pozitiv dhe gjithmonë shpresojmë se do kemi sukses që edhe problemet më të vështira t’i lehtësojmë”.

Ndërkohë, dy ministrat e jashtëm bënë me dije se do të njoftojnë kryeministrat e dy vendeve për përparimin e bërë në negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit. Deri më tani nuk është dhënë një propozim konkret, por mediat greke dhe maqedonase kanë raportuar se “Maqedonia e Epërme” është version me i pranueshëm për të dy palët. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!