Në Maqedoni po mbahet seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga opozita që ka kërkuar një votëbesim për qeverinë. Gjatë zhvillimit të saj, partia VMRO-DPMNE ka kritikuar ekzekutivin dhe ligjin për gjuhët.
Kuvendi i Maqedonisë është mbledhur të mërkurën për të trajtuar një mocion mosbesimi të kërkuar nga opozita ndaj qeverisë. Gjatë seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët u kthyen në Parlament pas 5 muaj bojkot, akuzuan mazhorancën se ka dështuar në të gjitha sferat dhe se ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhëve vetëm për të mbajtur gjallë koalicionin qeverisës.
“Kjo qeveri është më e papërgjegjshmja dhe më e korruptuara që ka pasur ndonjëherë Maqedonia. Keni shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e vendit vetëm e vetëm për të miratuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, për të cilin keni marrë vërejtje të mëdha nga BE, vërejtje që do të ndikojnë në raportin e KE-së”, deklaroi deputeti Dragan Danev.
Danev u ndal edhe tek ecuria ekonomike e Maqedonisë, duke akuzuar ekzekutivin se nuk është i aftë për të udhëhequr. Seanca u shoqërua nga ndërprerje dhe kryetari Talat Xhaferi disa herë ia la drejtimin zëvendësit të tij. Nga partia në pushtet LSDM, deputeti Tomislav Tuntev e cilësoi nismën për mocionin ndaj qeverisë si një përpjekje të opozitës për t’u rikthyer në pushtet.
“Më duhet të pranoj se kërkesa për mocion ndaj qeverisë vjen si pasojë e një dëshpërimi të madh. Ajo përbën pretekstin përse deputetët e VMRO-së u kthyen në Kuvend”, deklaroi Tuntev.
Ai shtoi se opozita duhet të ishte kthyer në Kuvend kohë më parë, për të diskutuar për ligjet dhe reformat e nevojshme për vendin./abcnews.al